“Si do ta hamë turpin me bukë mor burrë”, i thoshte e shoqja Jovan Bregut tek “Pallati 176”, dhe ky i përgjigjej: “Edhe një gotë verë prapa, dhe jemi në rregull”. Në futboll kjo ndodh shpesh, siç po e vërtetojnë këto ditë. Më parë erdhi “prapakthehu” i Zidanit për Garet Bejlin e bëjë “leckë”, dhe tani duket se po vjen “pirueta” e Bepe Marotës dhe Antonio Kontes për Mauro Ikardin.
Interi ndau numrat në fanela dhe ish-kapiteni vërtet humbi 9-ën e adhuruar, që e mori Lukaku, por fitoi 7-ën, një vlerësim gjithsesi tepër të rëndësishëm. Numri 7 ka histori të madhe në futboll, dhe nuk i jepet një futbollisti që i kanë bërë gati “biletën e daljes”. Dy elementë të tjerë tregojnë se një ndryshim themelor po ndodh në klubin zikaltër. Ikardi u kthye menjëherë në stërvitje, nën urdhërat e Kontes, ndërsa gruaja e tij Uanda Nara deklaroi se familja ka blerë një shtëpi të re në … Milano!
Gjithçka lidhet me interesin, “kërkesën dhe ofertën”. Aleksis Sançezi, sulmuesi që pritej të merrte numrin 7-të, me shumë gjasë nuk do të vijë për shkak të kostos tepër të lartë financiare të rrogës. Ky ndryshim e bën Ikardin të rëndësishëm, ndërsa konfliktet harrohen në futboll, ashtu si edhe dashuritë.
Sfidanti.al