Ferdinand ngre në qiell Guardiolën: Ekipet e tij s’kanë ditë pushimi!

Nëse kultura sindikaliste po e bën ligj që njeriu duhet të punojë maksimalisht 6 orë në ditë, dhe 5 ditë në javë, të ketë 4 javë apo më shumë pushim, si dhe të ketë lehtësi të tjera, Pep Guardiola duket si ndonjë ithtar i Milton Fridmanit, apo i kulturës së punës “si kalë”. Rio Ferdinand, ish-ylli i Mançester Junajtidit, nuk druhet aspak të mburrë Mançester Sitin, rivalin e tij të urryer të dikurshëm, por sidomos trajnerin e tij.

“Guardiola ka krijuar një kulturë tek Siti, – thotë Ferdinandi, – nuk ka asnjë ditë pushim. Çdo ndeshje duhet luajtur jo thjesht për t’u fituar, por duke dhënë maksimumin. Kjo është një gjë shumë e mirë për Sitin”. “Këtu ndikon padyshim edhe thellësia e skuadrës, – vazhdon ish-qendërmbrojtësi anglez, – Siti ka shumë lojtarë, dhe të gjithë duan të jenë në formacion. Kjo bën që ekipi të fitojë edhe pa yje si Aguero, Fernandinjo apo Laporte, siç ndodhi ndaj Liverpulit në Superkupë”.

Sfidanti.al