Skuadra tjetër e Madridit është cilësuar gjithnjë “e popullit”, që do të thotë e njerëzve të thjeshtë. Në kontrast me Realin, që vetë emri e tregonte që ishte “mbretëror”. Kështu ishte ndarë “me barrikada” kryeqyteti i Spanjës, dhe kuptohet Atletiko e “popullit” nuk mund të fitonte aq shumë sa Reali i “bejlerëve”, por gjërat sikur po ndryshojnë.
Jo thjesht nga fitorja 7-3 në derbi, pasi ajo ishte një ndeshje dhe aq, por për shkak se po ndryshon Atletiko. “Jo, tani nuk mund të quhemi më ekip i popullit, – pranon trajneri Diego Pablo Simeone, – skuadra eci përpara shumë shpejt, klubi e pati të vështirë ta mbërrinte, por tani po ia del. Kemi një stadium të jashtëzakonshëm, shpejt do të kemi një qendër sportive supermoderne, kemi financa për të marrë lojtarë si Lemar apo Zhoao Feliks”. Një keqardhje ndoshta, pasi populli madrilen do të duhet të gjejë ekip tjetër.
Simeone ka edhe një etiketim tjetër për Atletikon, duke e quajtur “shkollë futbolli”, pra ekip dhe klub me një stil të përcaktuar mirë historikisht. Trajneri theksoi se ai mësoi historinë e klubit dhe e përshtati filozofinë e tij. “Ka ekipe që kanë shkollë, si Ajaksi, Barcelona, Juventusi, ne, por Reali nuk ka shkollë, pasi e bazon ekipin tek yjet kryesorë që mund të marrë”, – është arsyetimi i Simeones.
Sfidanti.al