Sulmuesi i Manchester City-t, Sergio Aguero, premtoi besnikëri ndaj skuadrës angleze të futbollit duke shmangur mundësinë e largimit dhe të polemikave me trajnerin Pep Guardiola.
Futbollisti argjentinas është lënë jashtë në ndeshjet e fundit me “qytetarët”, me sfidën në “Camp Nou” si më të bujshmen, pasi ndodhet gjithnjë e më shumë nën presion për t’u përmirësuar.
Tabloidët britanikë sugjeruan madje dhe largimin potencial të ikonës së sulmit të City-t dhe faktet tregojnë se jo gjithçka shkon mirë pas kuintave. Por, Sergio Aguero insiston se nk ka patur asnjë problem mes tij dhe Guardiolës, dhe se nëse do të largohet nga City do të jetë ditën kur do të shkojë në klubin e fëmijërisë, Indipendiente.
“Unë asnjëherë nuk jam përplasur me Guardiolën dhe ai kurrë nuk ka patur probleme me mua. Gjithmonë më ka ndihmuar dhe këshilluar si duhet e aktualisht jam mirë te City. Ditën që do të largohem, do ta bëj për të shkuar te Indipendiente në Argjentinë. Nuk do të shkoj te Reali i Madridit pasi jam i lumtur te City. Këtë muaj kanë ndryshuar shumë gjëra në kokën time dhe po mendoj pozitivisht. Guardiola më ka thënë që të mos i kushtoj vëmendje thashethemeve të merkatos”, Aguero.