Nuk ka dashur të zbulojë asgjë për formacionin Xhani De Biazi. Shqipëria është në prag të përballjes me Izraelin dhe trajneri italian lë të kuptohet vetëm që lojtarët që kanë pasur dëmtime, vështirë se do ta shohin fushën. “Roshi dhe Sadiku mund të jenë në gjendje për të zhvilluar një ndeshje në stërvitje, por për të luajtur një ndeshje të vërtetë, me ritme të tjera, – tha ai, – le të presim dhe të shohim. Duroni edhe disa orë dhe do të mësoni se kush do të luajë. Mund të them vetëm se do të luajnë ata që do të jenë në gjendje më të mirë, që mund të na japim më lehtë rezultatin pozitiv, pse jo fitoren”.
De Biazi nuk dëshiron të firmosë për barazimin siç lëshoi batutën trajneri izraelit, Levi. “Thëniet e trajnerëve para ndeshjeve janë taktikë, – u shpreh ai, – Levi tha se do të luftojmë për vendin e tretë, nuk tha se dua barazimin, por u shpreh se edhe barazimi do të ishte normal. Edhe unë them se Shqipëria lufton për vendin e tretë”.
Sa ndikon zhvendosja e ndeshjes nga Shkodra në Elbasan? Sa e ndjen skuadra presionin e masave të forta të sigurisë? De Biazi: “Për ne nuk ndryshon asgjë. Më vjen keq vetëm për tifozët që kanë pasur problem me biletat, që kanë pasur më shumë vështirësi dhe që duhet të udhëtojnë më shumë”.
De Biazi gjithsesi, bën një paralelizëm për stadiumet. “Ndoshta në Shkodër do të kishte më shumë tifozë, por në Elbasan kemi arritur kualifikimin dhe mendoj ky stadium na sjell fat, – thekson ai, – Përsa i përket sigurisë, ata që merren me këtë punë, kanë menduar se kjo ndeshje ishte e rrezikshmërisë së lartë dhe mendoj se masat janë normale. Ata mendojnë se stadiumi i Elbasanit mund të sigurohet më mirë”.
B. Kuka