Izraeli është i kënaqur edhe me një barazim në Elbasan Arena. Trajneri Elisha Levi e tha qartë këtë në konferencën për shtyp në “Elbasan Arena”. Drejtuesi i ekipit izraelit tha se skuadra që ai drejton synon vendin e tretë në grup dhe për këtë sigurisht që Shqipëria është rivali i tyre direkt, por ai shtoi se kjo ndeshje nuk është vendimtare. “Të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta aktualisht, – ishin fjalët e tij, – Janë shumë ndeshje për t’u luajtur deri në fundin e eliminatoreve dhe takimi i ditës së nesërme nuk është vendimtar për synimet tona. Deri në fund janë shumë pikë në lojë”.
Levi tha se ishte i gatshëm të firmoste për barazimin edhe pse shtoi se ekipi i tij në çdo ndeshje futet për të fituar. “Firmos për barazimin nëse ma thotë De Biasi edhe pse ne hyjmë për të fituar në çdo ndeshje”. i pyetur se sa e njeh ekipin shqiptar ai u përgjigj: “E respektojmë Shqipërinë, e kam parë dy here”. Më tej vlerëson se “Shqipëria është një skuadër shumë e mire, ne e njohim stilin, lojën, lojtarët. Lojtarët shqiptarë luajnë në liga të rëndësishme në Europë, por ne do hyjmë në fushë që të bëjmë më të mirën”.
B. Kuka