Abramoviçi do të hapë “qesen”: cili sulmues do të jetë dhurata !

Gjatë këtij sezoni, Çelsi po luan shumë mirë, ndërkohë që ende nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe në Premier Ligë, momentalisht, ndodhet në vendin e 3-të me dy pikë më pak sesa vendi i parë, të cilin e ndajnë Liverpuli dhe Mançester Siti. Mauricio Sari i ka imponuar mjaft mirë mënyrën e tij të lojës këtij klubi londinez, por, sidoqoftë, ky trajner italian ka bërë të ditur se ai ka nevojë për përforcime, sidomos në sulm. Në fakt, tani për tani, Çelsi nuk ka ndonjë sulmues shumë të mirë, duke qenë se Olivie Zhiru dhe Alvaro Morata nuk po luajnë në nivelin e kërkuar prej tyre dhe të dy bashkë ata kanë shënuar vetëm tre gola gjatë këtij sezoni.
Media angleze shkruan se pronari rus i Çelsit, Roman Abramoviç, nuk do t’i kursejë paratë dhe se në janar ai ka në plan që të sjellë në “Stemford Brixh” sulmuesin Mauro Ikardi, duke paguar për të 110 milionë sterlina, aq sa është klauzola e tij e shitjes. Sidoqoftë, tani për tani, sikurse thuhet, ky futbollist argjentinas nuk do që të largohet nga Milano, kështu që duhet të pritet, nëse “blutë” e Londrës do të arrijnë ta bindin Ikardin.
Sfidanti.al