Pele – magjistari i topit, idhull i çdo futbollisti dhe sportisti

Më 23 tetor 1940 ka lindur njeriu që bëri një epokë fantastike në lojën e futbollit. Edison Arantes do Nashimento, i njohur më shumë si Pele, është një nga futbollistët më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë futbolli, ndërkohë që në kohën e tij ai ka qenë pa as më të voglin dyshim sportisti më i mirë i botës.
Legjenda braziliane e futbollit ka lënë mbas vetes një karrierë të admirueshme. Më 1956, kur ai ishte vetëm 16 vjeç, ai luajti për herë të parë me klubin e tij mëmë, Santos, të cilin e udhëhoqi deri te titulli i kampionit të botës midis klubeve më 1962. Në vitin 1969, në ndeshjen e tij të 909-të ai shënoi golin e 1000-të!
Pele, në lojën e tij, kombinonte forcën e vet goditëse dhe saktësinë me një aftësi të veçantë që e lejonte atë të parashikonte veprimet e lojtarëve të tjerë, sidomos të atyre kundërshtarë. Më 1975, ai shkoi të luante me Kosmosin e Nju Jorkut në ligën e futbollit të Amerikës Veriore. Ai u tërhoq nga futbolli, pasi e udhëhoqi këtë ekip drejt triumfit më 1977, ndërsa një vit më vonë atij iu dha çmimi ndërkombëtar i paqes, kurse më 1980 ai u shpall si “Sportisti i shekullit”.
Në nivelin përfaqësues, Pele është i vetmi futbollist në historinë e botës që ka arritur të triumfojë në tre kampionate botërore. Me Brazilin ai “nënshtroi” botën në vitet 1958, 1962 dhe 1970. Ndeshjen e fundit si “karioka” ai e ka zhvilluar në vitin 1971 kundër përfaqësueses së Jugosllavisë. Karrierën e tij të pasur ai e mbylli më 1977, duke zhvilluar 1361 ndeshje dhe duke shënuar në to 1281 gola!
Sfidanti.al