Reali i Madridit ka marrë disa përforcime të reja gjatë këtij sezoni transferimesh, ndërkohë që synon edhe disa përforcime të tjera cilësore, në radhë të parë dy yje të Premier Ligës, mesfushorët Pol Pogba dhe Kristian Eriksen, emrat e të cilëve kanë kohë që lidhen me klubin “mbretëror”.
Sidoqoftë, ka edhe nga ata që thonë se Reali nuk ka shumë nevojë për dy lojtarët e mësipërm dhe midis tyre ndodhet edhe legjenda braziliane e futbollit, Rivaldo, sipas të cilit, klubi madridas nuk ka nevojë as për futbollistin francez dhe as për atë danez, sepse në ekip do të kthehet Kasemiro.
“Shumëkush thotë se Reali ka nevojë që të përforcohet në mesfushë dhe, me këtë rast, përmenden Pogba dhe Erikseni. Unë nuk kam asnjë dyshim se ata të dy janë lojtarë mjaft të mirë, por, pavarësisht nga sezoni i kaluar jo i mirë, nuk mendoj se Reali ka nevojë për përforcime të reja. Ata që kritikojnë mesfushën e Realit, nuk duhet të harrojnë se Kasemiro do të kthehet shpejt nga dëmtimi, ndërkohë që ai është një nga mesfushorët mbrojtës kyç dhe ekipi do të bëhet më i mirë mbas ardhjes së tij”, deklaroi Rivaldo.
Sfidanti.al