Përse i lutet Zotit, trajneri Guardiola? Nga se ka frikë takticieni…

Vetëkuptohet se Pep Guardiola është i kënaqur se Mançester Siti i tij i ka shanset që ta mbrojë titullin e kampionit të Premier Ligës, por, momentalisht, ai thotë se lutet vetëm për një gjë, që lojtarët e tij të kthehen “shëndoshë e mirë” nga përfaqësueset e veta që do të nisin ndeshjet kualifikuese të Evropianit të ardhshëm.
“Lutem që të gjithë lojtarët e mi të kthehen të padëmtuar. Sigurisht që ata kanë angazhimet përkatëse në përfaqësueset e tyre, me të cilat ata duhet të japin maksimumin e tyre dhe unë shpresoj që ata të kthehen te neve në formën e tyre optimale. Aguero, Silva, Laport dhe disa futbollistë të tjerë do të pushojnë, ndërkohë që atyre do t’u përgatitet programi që ata të jenë gati për ndeshjen me Fullhemin”, deklaroi Guardiola, për të cilin muaji prill do të jetë një “ferr” i vërtetë, sepse Siti do të duhet të zhvillojë tetë ndeshje në tre konkurrimet, ku ai merr pjesë.
“Duke pasur parasysh sesa ndeshje na presin, në fakt, një çmenduri e vërtetë, neve na duhen të gjithë lojtarët, ndërkohë që ne presim që të kthehen De Bryjn, Mendi, Stouns dhe Fernandinjo që kanë qenë të dëmtuar dhe për të cilët ne kemi nevojë. Për mua është një nder i madh që ekipi ynë po lufton në tre fronte, por unë u kam thënë lojtarëve se një gjë e tillë kërkon një përgatitje të lartë psikologjike”, tha Guardiola.
Sfidanti.al