Përgënjeshtrimi: As s’e kemi mbuluar Ramosin, as nuk ka pasur test dopingu!

Shoqata evropiane futbollit, UEFA, i përgënjeshtroi pretendimet e revistës së përjavshme gjermane “Shpigel” që mbështetet te të dhënat që kanë dalë nga dokumentet e publikuara nga uebsajti “Football Leaks”, se kapiteni i Realit të Madridit, Serhio Ramos, ka dalë pozitiv në testin e dopingut para ndeshes finale të Ligës së Kampioneve mes Realit dhe Juventusit në vitin 2017 dhe se UEFA e “ka groposur” këtë rast.
“UEFA i hedh poshtë të gjitha pretendimet dhe akuzat. Nëse do të kishte ndonjë rast ‘Ramos’, si WADA (Agjencia Botërore e Anti-Dopingut), ashtu edhe FIFA, do të kishin reaguar. UEFA zhvillon një bashkëpunim të plotë me këta dy institucione dhe ky rast është zgjidhur shumë shpejt. Ne theksojmë se WADA dhe FIFA kanë të drejtë që të bëjnë ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, por ato nuk e kanë bërë këtë që do të thotë se rasti në fjalë është sajuar”, vë në dukje UEFA.
Sfidanti.al