Për Tevezin të gjithë futbollistët janë lakmitarë, por tani…

Futbollisti argjentinas, Karlos Tevez, pak kohë më parë, fliste për lakminë që ka përfshirë futbollistët anekënd botës dhe se, për shkak të lakmisë së madhe të futbollistëve për të fituar sa më shumë para, ai kishte humbur pasionin që të luante futboll. “Nuk dua të luaj më futboll. Jam lodhur, tanimë, nga futbolli. E kam seriozisht. Futbolli, tani, po luhet vetëm për para dhe kjo gjë mua nuk më pëlqen. Futbollistët nuk interesohen më për tituj, por vetëm për para”, thoshte ky futbollist argjentinas, dikur pjesëtar i përfaqësueses së Argjentinës dhe të disa klubeve me emër në Amerikën e Jugut dhe Evropë.

Në fakt, fjalët e tij tingëllojnë bukur, madje, ai duket edhe si parimor. Por, vetëm se ka diçka, se, tani, Tevezi po shpërngulet nga Boka Juniorsi për në Kinën e largët, që të luajë me Shangai Shenhuan, dhe përse? Këtu qëndron kleçka që i largon fjalët e tij nga realiteti. Ai po shkon në Kinë, pikërisht, për para, më saktë, për shumë para, pasi, atje, në Lindjen e Largme, ai do të marrë një pagë mujore prej rreth 5 (pesë) milionë eurosh në muaj! Kaq sa për parimet.

Sfidanti.al