Nuk ishte “Uembli”, por për Hungarinë ndaj Anglisë u duk sikur ishte në fushë Pushkashi!

Nuk është aspak ai brez, edhe pse po përpiqen me krenari që t’i ngjajnë sado pak. Ishte tjetër ajo Hungari me Groshiçin, Buzanskin, Lantoshin, Lorantin, Zakariashin, Bozhikun, Budain, Ciborin, Pushkashin, Koçishin e Hidegkutin. Ata legjenda duket se nuk do të përsëriten më në atë vend, por gjithsesi një ekip që fiton 4-0 në Angli është për histori. Nuk u luajt në Londër ndeshja e radhës në Ligën e Kombeve, veçse në stadiumin “Molino” të Uolverhemptonit, e megjithatë në fushë u duk sikur ishte Ferenc Pushkashi, si atëherë në fitoren legjendare 6-3 të “kuajve fluturues” hungarezë në 25 nëntor 1953 në Stadiumin Perandorak, “Uembli”. Roland Shalai shënoi për europianoqendrorët në minutën e 16-të, dhe në 20 minutat e fundit erdhën 3 gola të tjerë. Shalai dyfishoi shifrat në 70’, e pastaj Zolt Nagi në 80’ dhe Gazdag në 89’ vulosën rezultatin 4-0. Padyshim, që Anglia e trajnerit Garet Sauthgejt, pati shumë eksperimente, por gjithsesi, kjo nuk ia ul vlerat fitores hungareze. Le të jetë edhe një sinjal për Shqipërinë, së cilës i ka mbetur ora mesa duket tek dy fitoret historike 1-0 ndaj Hungarisë, të parat për të gjitha kohët, por tashmë duket të shkojmë përpara për të kuptuar se çfarë do të thotë traditë dhe profesionalizëm.

Anglia (4-3-3): Ramsdejl, Uolker, Guehi, Stouns, Xhejms, Gallaher (Maunt 56’), Filips, Belingham (Foden 69’), Saka (Megajer 85’), Kejn, Bouen (Stërling 46’).

Hungaria (3-4-2-1): Dibus, Lang, Orban, Atila Salai, Fiola, Shafer, Stajls (Adam Nagi 56’), Zolt Nagi, Soboslai (Gazdag 56’), Shalai (Nego 78’), Adam Salai (Adam 68’).

Sfidanti.al