Një diferencë e tillë me 3 gola kishte ndodhur vetëm një herë, 6 vjet më parë në prag të Euro 2016-ës, por ishte thjesht një miqësore. Natyrisht, edhe Liga e Kombeve shpesh cilësohet thjesht diçka më shumë sesa një miqësore, por gjithsesi kur Gjermania fiton 5-2 ndaj Italisë është gjithmonë një ngjarje e madhe. Dhe në fund të fundit, edhe pse e ka emrin Liga e Europës, edhe pse luhet në prag të Botërorit, sërish nuk është një miqësore. Timo Verner shënoi 2 gola dhe trajneri Hansi Flik dha një tjetër provë se po e kthen ekipin “teuton” në kohët e mëdha të dikurshme.
Kritikat e vetme për Flikun ishin që nuk fitonte dot ndaj të mëdhenjve, pas barazimeve me Anglinë dhe Italinë, por ja ku erdhi suksesi. Kimih, Gyndogan dhe Tomas Myler ishin autorët e tjerë të golave, ndërsa për italianët në fund shënuan Njoto (Gnoto) dhe Bastoni për të ngushtuar shifrat. Kjo ishte fitorja e parë gjermane në këtë edicion, ndërsa kishte pasur 3 barazime, veçse në krye të grupit është Hungaria që ka 7 pikë ndaj 6 të gjermanëve dhe 5 të italianëve. Natyrisht, në përballjen e radhës, italianët kishin shumë më pak përvojë me lojtarët e tyre që vinin kryesisht nga ekipe më të vegjël dhe pa eksperiencën e Championsit apo të kupave të Europës si Nojeri, Zyler, Myler, Gyndogani, Rydigeri, Kimih, Saner apo Verner. Në bilanc, të kaltrit janë ende përpara me 15 fitore ndaj vetëm 10 të “pancerëve”.
Gjermania (4-2-3-1): Nojer, Klosterman, Zyle (Tah 87’), Rydiger, Raum, Gyndogan (Shtah 88’), Kimih, Hofman (Gnabri 64’), Myler (Musiala 75’), Sane, Verner (Nmeça 75’).
Italia (4-3-3): Donaruma, Kalabria, Mançini (Skamaka 78’), Bastoni, Spinacola (Dimarko 65’), Fratezi (Kaprari 46’), Kristante, Barela, Politano (Felipe Luiz 44’), Raspadori (Skalvini 46’), Njoto.
Sfidanti.al