Për ta kishte qenë “macja e zezë”. Kroacia mund të jetë një nga sensacionet e mëdha të futbollit botëror, por përballë Francës kishte humbur, e ndonjëherë kishte barazuar. i ndodhi që nga Kupa e Botës 1998, kur u mund në gjysmëfinale, si dhe në finalen e Botërorit të 2018-ës në Rusi, me disfatën 2-4. “Gjelat” i fituan të dyja kupat e botës, veçse nuk thuhet kot se fati mund të jetë me ty një ditë. Kështu ndodhi mbrëmjen e fundit, në ndeshjen e grupit në Ligën e Kombeve, madje në ambientin më të vështirë, në stadiumin “Stad dë Frans” të Parisit. Edhe pse kishin 80 000 tifozë kundër, edhe pse francezët ishin superiorë në cilësi, me Benzemanë e Mbapenë në formacion, sërish vendosi penalltia e yllit të Realit të Madridit, Luka Modriç. Franca u përpoq, por asgjë nuk ndryshoi dhe tekniku kroat, Zllatko Daliç ishte i lumtur.
“E përgëzoj ekipin tim që ia doli ndaj një kundërshtari kaq të fortë, – tha ish-trajneri i Dinamos së Tiranës, – kjo ishte fitorja e parë e jona në histori ndaj Francës. Ishte një lloj kompleksi, na u desh të prisnim 25 vjet. Natyrisht që jemi shumë të lumtur. Luajtëm mirë dhe arritëm ta bllokonim ekipin francez. Ata nuk patën shumë raste, ndërsa ne mund ta shfrytëzonim ndonjë nga momentet që patëm. Gjithsesi, fitorja 1-0 na gëzon”.
Çfarë po ndodh me kampionët e botës, që rrezikojnë të bien një kategori më poshtë në Ligën e Kombeve? “Kjo është forma që ka ekipi ynë në këtë moment, dhe ky nuk është justifikim, – tha tekniku i “gjelave” i shqetësuar, – na mungoi forca dhe energjia. Duhet ta pranojmë këtë që ndodhi edhe pse na dhemb që humbëm ndeshjen. Po flas jo vetëm për lojtarët, por edhe për veten time. Nuk patëm forcën tonë të zakonshme, gjë që është fatale në një nivel të tillë. Dy pikë në 4 ndeshje janë shumë pak, dhe do të na duhet reagim i fortë për sfidat e ardhshme”. Franca, që doli barazim 1-1 në fushën e Kroacisë në Split, është në vendin e fundit në grup, ndërsa në vendin e parë është Danimarka.
Sfidanti.al