Nga 12 milionë paundë në 5 milionë euro, por Aguero do Barcelonën!

Është rënë dakord dhe kontrata do të jetë dyvjeçare. Sergio Kun Aguero do të jetë lojtar i Barcelonës sezonin e ardhshëm, me presidentin Zhoan Laporta që po bën çmos për të kënaqur Lionel Mesin, që kërkon një skuadër të denjë për të luftuar për trofe. Bashkë me sulmuesin argjentinas, në “Kamp Nou” pritet të vijë edhe Memfis Depai, ish-ylli i Mançester Junajtidit që sot luan për Lionin. Edhe argjentinasi 32-vjeçar, edhe holandezi 27-vjeçar do të kalojnë tek Barça me parametra zero, pasi u përfundon kontrata. Një sukses i rëndësishëm për Laportën, klubi i të cilit ka detyrime të mëdha ndaj bankave dhe të tjerëve, por që siguroi një kredi prej 500 milionë eurosh nga një prej bankave më të mëdha amerikane dhe botërore. Aguero mësohet se ka hedhur poshtë 3 oferta të tjera për të luajtur për një rrogë që do të jetë gati 40 për qind e asaj që fiton tek Mançester Siti. Më parë, ai do të luajë finalen e Championsit për ta mbyllur sezonin me një triumf të madh.

Sfidanti.al