Në horizont një megatransferim tjetër? Sa shumë para për një “imcak”

Ditën që u publikua konfirmimi zyrtar për transferimin e Nejmarit, nga Franca erdhi lajmi për një transferim të madh tjetër eventual, pasi, sikurse thuhet, Kilian Mbape ka vendosur që të largohet nga Monakoja. Ajo, për të cilën, javët e fundit, u bë një zhurmë e madhe, më në fund, u konfirmua edhe zyrtarisht: Braziliani Nejmar u largua nga Barcelona për te PSZH-ja që pagoi klauzolën e tij të blerjes me një vlerë marramendëse prej 222 milionë eurosh, duke shkruar, kështu, një faqe të re në historinë e futbollit profesionist botëror.

Por ky transferim duket se nuk do të jetë e vetmja marrëveshje e “çmendur” gjatë kësaj vere. Lajmet më të fundit nga Parisi thonë se Mbape ka vendosur që të largohet nga Monako, ndërkohë që për këtë tinejxher të supertalentuar interesohen Reali i Madridit dhe Mançester Siti që janë gati që të nxjerrin nga “qesja” e tyre 180 milionë euro, ndërsa, mbas transferimit të Nejmarit, pritet që në lojë të futet edhe Barcelona. Të tre këta klube kanë para të mjaftueshme në dispozion, kështu që ne mund të bëhemi dëshimtarë edhe të një megatransferimi të madh tjetër.

Sfidanti.al