Muçi në gjurmët e Sadikut, a do ta fitojë sfidën 19-vjeçari i Shpresave?!

Një tjetër shqiptar e veshi për pak kohë këtë fanelë. Dy vjet përpara Ernest Muçit, tek Legia e Varshavës ishte Armando Sadiku, në atë kohë sulmuesi kryesor i kombëtares, që zbuloi Shqipërinë në vendin e Europës Lindore. Sadiku u largua vetëm pas një sezoni, ndërsa luajti 25 ndeshje, shënoi 7 gola e shërbeu 4 asistë, ndërsa tani është radha e Muçit. Sulmuesi 19-vjeçar që shkëlqeu me Tiranën në një sezon e gjysmë, realizoi transferimin e parë të rëndësishëm të karrierës së tij ende të re, duke firmosur kontratën tek Legia.

Në prezantim, tiranasi foli pak, bëri një përshëndetje për tifozët, dhe deklaroi se është i lumtur që do të luajë për Legian. Klubi i Legias njofton se Muçi do të kalojë vizitat mjekësore dhe vetëm pas tyre do të nënshkruajë kontratën, për të cilën nuk jepen hollësi. Polakët e cilësojnë shqiptarin si një nga talentet më të mëdhenj në Ballkan, duke vlerësuar faktin se ishte në sezonin e tretë me Tiranën, duke shënuar mjaft gola e duke fituar titullin kampion.

Tirana, ndërkaq, fiton 500 000 euro nga ky transferim, ndërsa ruan pronësinë edhe të 20 për qind të kartonit. Muçi do të luajë në ekipin që është kampion në fuqi i Polonisë, dhe që e ka fituar titullin 14 herë, një rekord që e mban bashkë me Gornikun e Zabrzes dhe Vislën e Krakovit. Në ndeshjen e fundit skuadra e kryeqytetit arriti një fitore të thellë, 5-2 në fushën e saj ndaj Vislës së Plockut. Legia kryeson kampionatin me 36 pikë, vetëm 1 pikë më shumë sesa Pogoni i Shçecinit.

Sfidanti.al