Ka provuar fitore të mëdha, dhe humbje të thella. E tillë ka qenë historia e mesfushorit të Realit të Madridit me Anglinë, ndërsa në moshën 35-vjeçare synon të udhëheqë kombëtaren e tij të Kroacisë në një tjetër sukses pasi arriti finalen në Kupën e Botës në 2018 në Rusi. Modriç u shpall lojtari më i mirë i finaleve të Botërorit, dhe po ashtu fitoi Topin e Artë të “Frans Futbollit” si dhe Çmimin e Lojtarit më të mirë të vitit nga FIFA, ndërsa në gjysmëfinale Kroacia eleminoi pikërisht Anglinë duke e mundur 2-1.
“Nuk mund të kishte rival më të keq për Kroacinë sesa Anglia, – tha Modriç, – kjo do të thotë se ne po e nisim Europianin sikur po luajmë një finale. Unë jam gjithnjë optimist, por do të jetë e vështirë. Ne jemi në grup me Anglinë, Çekinë dhe Skocinë. Nuk duhet të bëjmë gabime, por duhet të luajmë sipas stilit tonë”. Kroacia mbahet mend që e eleminoi Anglinë në grup pa e lejuar të shkonte në finalet e Europianit në 2008, por pastaj Anglia e eleminoi Kroacinë në eleminatoret e Kupës së Botës 2010. Së fundmi, dy ekipet luahtën në Ligën e Kombeve, me rezultatet 0-0 në Zagreb dhe 2-1 për Anglinë në “Uembli”. Në total, anglezët kanë 5 fitore, 2 barazime e 3 humbje.
Sfidanti.al