Një nga lojtarët më me përvojë te Reali i Madridit, Marselo, siç duket, ka ndërruar mendje dhe ka vendosur që të vazhdojë të qëndrojë në “Santiago Bernabe”, ndërkohë që vetëm para pak javësh, kur ekipin e drejtonte Santiago Solari që e kishte mënjanuar atë, futbollisti brazilian ishte bërë gati që të largohej nga klubi “mbretëror”.
Por, mbas largimit të trajnerit argjentinas dhe ardhjes së trajnerit francez, Zinedin Zidane, ky mbrojtës i majtë vendosi që të mos largohet nga “Bernabeu”. Kontrata e tij, në fakt, ka një kohëzgjatje deri më 30 qershor 2022, kur ai do të jetë 34 vjeç. Marselo, në fakt, në disa raste ka thënë se do të donte ta mbyllte karrierën me bluzën e bardhë dhe tani që në krye të ekipit ka ardhur Zidane, ai nuk sheh ndonjë arsye që të mos ta bëjë këtë, ndërkohë që trajneri i sapokthyer francez e ka atë më sy të mirë dhe e ka kthyer në formacionin e parë.
Sfidanti.al