Maradona: Superklasiko në Madrid? Por a e dini sesa kushton fluturimi?

Legjenda argjentinase e futbollit dhe trajneri aktual i ekipit meksikan Dorados, Diego Armando Maradona, e kritikoi me forcë konferderatën amerikanojgore të futbollit për vendimin e saj që ndeshja e dytë finale e Superklasikos të Kupës Libertadores mes River Plates dhe Boka Huniorsit të zhvillohet në “Santiago Bernabe” të Madridit (9 dhjetor), për shkak të incidenteve të rëndë që ndodhën në Buenos Ajres, ku u sulmua me gurë autobusi i ekipit të Bokës, duke plagosur disa lojtarë.
“Vendimi për zhvillimin e ndeshjes në Madrid është një absurditet i vërtetë. Por, a e dini ju sesa kushton bileta e avionit nga Buenos Ajresi për në Madrid? Çfarë duhet të bëjnë njerëzit që duan të shkojnë familjarisht për të parë ndeshjen? Të sheshin shtëpinë? Ndeshja duhet të zhvillohej atje, ku i takon”, tha Maradona.
Sikurse dihet, ndeshja e parë mes dy ekipeve të lartpëmendur në stadiumin “La Bomboniera” përfundoi në barazim 2-2.
Sfidanti.al