A thua do ta kthejnë kohën tashmë të largët të triumfit? Italia e ka fituar për herë të fundit Kampionatin Europian të futbollit plot 53 vjet më parë, por kjo që po bën këto ditë i jep shpresë tifozëve se pritja tepër e gjatë mund të marrë fund. Suksesi ndaj Republikës Çeke ishte i tillë që bëri entuziast edhe italianin më të rezervuar. Italia e trajnerit Roberto Mançini fitoi 4-0 në Bolonjë me gola të shënuar nga Imobile, Barela, Insinje dhe Berardi, duke treguar se është gati për Europianin.
Italia nuk është ndër favoritët për të fituar turneun, ndonëse parashikimet e vlerësojnë si kandidat për titull. “Një test që na jep sinjale të mira dhe na jep shpresë, – u shpreh Mançini, – luajtëm shumë mirë dhe këtë e bëmë ndaj një kundërshtari të respektuar. Jemi skuadër ofensive, duam që të luajmë në sulm, por edhe që të mbrojmë kur duhet mbrojtur. Në Europian do të jetë shumë i rëndësishëm mentaliteti i duhur”. Pak ditë më parë, Italia mundi 7-0 San Marinon në testin e parë, ndërsa tani erdhi 4-0 ndaj çekëve. Të kaltrit janë në vendin e pestë në listën e pretendentëve sipas kompanive të basteve, pas Anglisë favorite, Francës, Belgjikës dhe Spanjës, duke qenë në të njëjtën kuotë si Gjermania, dhe përpara Portugalisë e Holandës.
Sfidanti.al