Mançini beson tek Italia, por i vetmi që “shpëton” është Baloteli

Roberto Mançini ishte krejtësisht stoik pas “dajakut” që Italia e tij mori në Paris, diçka krejt normale. Asnjë trajner në botë nuk bën parashikim të zymtë për ekipin e tij, aq më pak Mançini për pesë herë kampionët e botës, por çfarë thonë të tjerët për të? Gazeta më e shquar e Francës, “L’Ekip”, bëri vlerësime tepër të ulëta për futbollistët italianë, duke kursyet vetëm Mario Balotelin.

SuperMario mori një notë të mirë 6 në stadiumin e tij të Nicës, ndërsa “L’Ekip” si një mësues i rreptë nuk kurseu 3-at e 4-at për italianët. Vetëm Bonuçi e Pelegrini patën nga një notë 5, ndërsa De Shilio, D’Ambrozio, Berardi, Mandragora apo Kieza “u ngelën në klasë”.

“Këto janë ndeshjet që të rrisin si lojtar dhe si ekip, – u shpreh Mançini, – sot ekziston diferencë me Francën, por më jepni një vit kohë dhe pastaj flasim”. Problemi kryesor për trajnerin është “mielli” me të cilin do të “gatuajë bukën”, pasi Italia nuk ka sot një Baxho, Del Piero apo Toti.

Sfidanti.al