Sulmuesi i Mançester Junajtidit, Romelu Lukaku, është gati të bëjë madje edhe një “vetësakrifikim” financiar, vetëm që të transferohet tek Interi. Ky futbollist belg ka bërë të ditur përmes agjentit të vet se ai është gati të pranojë edhe një pagë shumë më të ulët sesa merr tani në “Old Trafford”, vetëm që të realizohet transferimi i tij për tek Interi.
Interi, në fakt, e ka treguar hapur interesimin e tij për sulmuesin korpulent, të cilin e do në ekip trajneri i ri “neroaxurëve”, Antonio Konte. Problem përbën fakti se “djajtë e kuq” kërkojnë për Lukakun 90 milionë euro dhe nuk pranojnë variantin e huazimit të tij 2-vjeçar kundrejt 10 milionë eurove pagesë, me opsionin e blerjes më vonë të të gjithë kontratës së tij. Kjo është arsyeje që Lukaku është gati të pranojë një pagë më të ulët, me qëllim që transferimi i tij për tek Interi të realizohet sa më shpejt.
Interi deri tani ka arritur në ofertën prej 60 milionë paundë stërlinash (rreth 68 milionë euro), kjo sipas mediave britanike dhe italiane, por nga “Old Trafordi” ka vetëm refuzim.
Sfidanti.al