Një nga trajnerët më të mëdhenj në botë, pa dyshim, por edhe një nga ata që krijon skena dhe histori pa asnjë lloj nevoje. Zhoze Murinjo po krijon një tjetër “tymnajë” për synimet e tij, duke deklaruar se po mëson gjermanisht, diçka që lë të nënkuptohet se ai mund të punojë në kampionatin gjerman, dhe padyshim në mendje të vjen emri i Bajernit, ose të paktën i Dortmundit.
Gjithsesi, mund të kujtohet se dikur, portugezi u tall me Pep Guardiolën kur ky u bë trajner në Mynih, duke thënë se “unë nuk shkoj në Bundesligë, ku titulli fitohet fare lehtë, unë dua liga me konkurrencë”. Sidoqoftë, Murinjo ishte tallur edhe me Benitezin kur fitoi Ligën e Europës me Çelsin, por pastaj e quajti fitoren e tij në Ligën e Europës me Mançester Junajtidin, një arritje të madhe.
Pak kohë më parë, emri i Murinjos u lidh me Benfikën, Lionin dhe Njukasllin, por ka shumë mundësi që ai të zgjedhë Bundesligën, kështu që ai ka filluar të mësojë gjuhën e vështirë gjermane. Për më tepër, ai asnjëherë më parë nuk ka drejtuar ndonjë ekip gjerman.
“Tani, unë po mësoj gjermanisht. Në Bundesligë? Unë po mësoj gjermanisht, sepse deri tani nuk e flas dot këtë gjuhë. Unë flas anglisht, spanjisht, frëngjisht, italisht dhe vetëkuptohet portugalisht. Nuk e di ende se ku do të shkoj dhe Gjermania nuk përjashtohet”, deklaroi Murinjo, midis të tjerave, në “Gazetën delo Sport”.
Sfidanti.al