Barcelona do të duhet të gjejë trajner tjetër brenda pak muajve. Luis Enrike e tha me gojën e tij se do të largohet në fund të sezonit. Asturiani e deklaroi këtë në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Gihonin, duke e mbyllur pikërisht me këto fjalë. “Përfitoj nga rasti për ta mbyllur këtë konferencë për shtyp në një mënyrë të ndryshme, nuk do të jem trajner i Barcelonës sezonin e ardhshëm, – tha ai, – motimi i largimit është për shkak të mënyrës sesi dua ta jetoj këtë profesion. Në këtë mënyrë, nuk ka kohë për pushim, për shkëputje. Përpara jush, ia thashë këtë gjë edhe lojtarëve në dhomën e zhveshjes”.
Luis Enrike falenderoi futbollistët, po ashtu edhe klubin që nuk e vuri nën presion për të deklaruar sa më parë se çfarë do të bënte me kontratën. “Në këta 3 muaj dua të jap maksimumin që të fitojmë trofe”, – e mbylli ai. Në stolin katalanas, Luis Enrike fitoi dy tituj kampion radhazi, Ligën e Kampionëve si dhe dy Kupa të Mbretit, po ashtu edhe Superkupën e Europës, Kupën e Botës për klubet, ndërsa ndodhet në finalen e Kupës së Mbretit dhe me pretendime për të fituar sërish kampionatin.
Sfidanti.al