E dielë jo e mirë për një profesionist, por e këndshme për një njeri që dëshiron të ndjekë futbollin, sidomos nga afër. Mario Baloteli ishte i pezulluar dhe nuk mundi ta ndihmonte Nisën në ndeshjen e radhës të kampionatit francez, por nuk mund të thuhet se e kaloi keq ditën e fundit të javës së kaluar. SuperMario shfrytëzoi pushimin për të shkuar në Itali dhe për të qenë në “San Siro” në orarin e Derbit të Madoninës. Lojtar dikur edhe i Interit, por edhe i Milanit, është e vështirë të mësohet se për kë rrihte zemra e sulmuesit italo-afrikan në përballjen e madhe të Lombardisë.
A mund të thuhet se Mario nuk pati asnjë emocion si tifozë, dhe e ndoqi ndeshjen thjesht si pëlqyes futbolli? Ka mundësi të jetë kështu, pasi ai nuk ka zbuluar kurrë me kë është tifoz, dhe duket e vështirë që të ketë ndonjë dobësi për ndonjë ekip. E sigurt është edhe që ka mbetur i kënaqur pasi përballja milaneze ishte shumë e bukur, me 4 gola dhe me raste. Besohet se Balotelit iu zgjuan kujtimet kur ishte edhe ai në fushë. Ndërkaq, në Francë, Nisa i dërgoi një lajm të mirë, pasi e fitoi 1-0 ndeshjen e fundit dhe mbajti kreun e renditjes.