Ka veshur dorezat e boksit dhe është duke u stërvitur për të mbajtur veten në formë. është njeri i futbollit Stiven Xherrard, por e ka gjetur më të përshtatshme të bëjë boks në palestër përpara sesa të marrë vendimin e radhës për karrierën. Çfarë do të bëjë kapiteni i dikurshëm legjendar i Liverpulit? Do të vazhdojë të luajë futboll? Mundësitë janë, pasi Interi besohet se ia ka bërë një ofertë. Do të bëhet trajner? Milton Kejnes Dons e kërkoi në Angli. Do të ketë një rol në ekipet kombëtare? Federata Angleze synon t’i aktivizojë si trajnerë “në paketë”, bashkë me Frenk Lampardin. Apo dëshiron të kthehet në klubin e tij të zemrës? Liverpuli po e konsideron këtë gjë. Sido që të vijë, 36-vjeçari anglez duket shumë në formë, pavarësisht se nuk është më aq i ri. Me futbollin e vogël e mbylli tani që i dha fund karrierës në Amerikë me Los Anxhelos Galaksinë, me futbollin e madh u mendua se e mbylli kur u largua nga “Anfildi”, por nëse pranon Interin, do të thotë se mbetet ende në elitë.