Reali, Mbapesë: Eja tani, një nga BBC-ja e famshme do të largohet!

Një pjesëtar i treshes së famshme BBC (Benzema, Bejl, Ronaldo) do të largohet këtë verë. Kështu raporton gazeta spanjolle “AS”, dhe informon se Reali ia ka komunikuar këtë gjë Kilian Mbapesë për t bindur që të vijë pa vonesë në Madrid. Nuk bëhet e qartë se cili nga tre yjet mund të jetë viktima, veçse theksohet me siguri se presidenti Perez dhe trajneri Zidan kanë folur me sulmuesin 18-vjeçar të Monakos për ta bindur sa më parë. Natyrisht, bisedimet duhet të kenë qenë me agjentin e tij, por kjo ka pak rëndësi.

Kristiano Ronaldo besohet se ka deklaruar prerë se do të largohet nga Reali dhe nga Spanja, pas hapjes së gjyqit për taksat dhe për atë që e quan “mbështetje e pamjaftueshme nga klubi”, por nuk mund të thuhet se ky largim është i përfunduar. Një futbollist i përmasave të tilla është gjithnjë shumë e vështirë të transferohet, duke pasur parasysh shumën që duhet paguar për kartonin e tij. Me shumë gjasa, i larguari duhet të jetë Garet Bejl, për të cilin është folur disa herë në media. Uellsiani është një futbollist i madh, por me fizik shumë të brishtë, diçka që vështirë të pranohet në një klub si Reali.

Sfidanti.al