Vizita tek Aushvici, “terapia” e duhur për milionerët e ardhshëm të futbollit

Skuadra e Anglisë U21 ka shkuar në Poloni për të luajtur një turne futbolli, saktësisht Kampionatin Europian. Ka arritur gjysmëfinalet, ku do të përballet me Gjermaninë, por drejtuesit e Federatës kanë vendosur të pasurojnë programin e skuadrës me një vizitë të veçantë në Aushvic.

Disa nga njerëzit më me fat në botë (thjesht për shkak të një talenti të dhuruar që në lindje, dhe të përpjekjeve të familjeve apo trajnerëve që po i bëjnë kampionë) po shkojnë të ndjejnë nga afër se çfarë ka ndodhur me disa nga më fatkeqët e historisë humane. Atje, në Jugun e thellë të Polonisë, pranë hijes së rëndë të Maleve Tatra, anglezët e rinj përjetuan emocione të veçanta, të cilat i shprehën më pas.

Më shumë se 1 milionë njerëz besohet se humbën jetën në Kampin nazist të vdekjes, nga të cilët shumica ishin hebrej.

Me shumë gjasë, me kalimin e viteve dhe nën ndikimin dehës (pse jo edhe degjenerues) të jetës së tyre luksoze, dhe shpesh vanitoze, milionerët e ardhshëm të futbollit mund t’i harrojnë emocionet e thella, por të pak çasteve në Aushvic. Ndoshta, do të ishte mirë që t’i detyronin të shkonin më shpesh atje.

Jo vetëm kaq! Suksesi i njerëzimit do të ishte që këta anglezë apo europianët me shumë fat dhe pasuri, të shkonin përveçse në Aushvic apo Treblinka, edhe në kampet cariste dhe staliniste në Siberi, në monumentin e Hiroshimës që përkujton qindra mijë viktimat japoneze të bombës atomike amerikane, apo në Alepo të Sirisë e Mosul të Bagdatit, për të kuptuar më thellë sesa rol luan fati në jetën njerëzore. Vetëm kështu, ata do të ishin njerëz të thjeshtë, njerëzit e duhur!

Sfidanti.al