PSG, Al Kelaifi paralajmëron: Mjaft më me sjellje prej yjesh Hollivudi

Naser Al Kelaifi duket se është lodhur me maninë e hyjnizmit të lojtarëve të skuadrës së tij. Presidenti i Paris Sën Zhermenit në një intervistë për France Football vendosi t’u japë një mesazh të qartë futbollistëve të skuadrës kampione të Francës që konsiderohen si yje të saj.

‘Lojtarët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Tani më shumë se më parë-tha Al Kelaifi-gjërat duhet të jenë krejt ndryshe. Ata duhet të bëjnë më shumë, të punojnë më shumë. Nuk janë këtu për t’u kënaqur. Dhe nëse nuk janë dakord, dyert janë të hapura për t’u larguar. Ciao. Mjaft më me sjellje si yje Hollivudi’.

Dështimet e këtij sezoni që Paris Sën Zhermeni e mbylli vetëm me titullin kampion si dhe tensionet e krijuara brenda ekipit e shtynë Al Kelaifin të japë një mesazh të tillë. I fundit që i trazoi ujërat te skuadra transalpine ishte Kilian Mbape i cili në momentin kur mori cmimin si Lojtari më i mirë i Ligue 1 dha një mesazh enigmatik duke lënë të nënkuptohej largimi i tij i mundshëm nga Paris Sën Zhermeni.

Në 19 maj, e përditshmja ‘L’Equipe’ zbuloi se skuadra e Paris Sën Zhermenit është e ndarë në 2 klane; nga njëra anë është klani i brazilianëve i kryesuar nga Nejmar e Dani Alvesh, nga ana tjetër është ai i francezëve me në krye Mbape i cili duket se nuk i duron dot më privilegjet që i janë dhënë pikërisht Nejmarit.

sfidanti.al