Dejan Saviçeviç, president aktual i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, akuzoi drejtorin e klubit Crvena Zvezda, Zvezdan Terziç, si fajtorin kryesor për skandalin para ndeshjes kualifikuese mes Malit të Zi dhe Kosovës.
Sikurse dihet, në prag të ndeshjes së lartpërmendur, trajneri serb i përfaqësueses së Malit të Zi, Lubisha Tumbakoviç, dhe dy futbollistë malazezë të Crvena Zvezdës kundërshtuan që të dilnin në fushë dhe të luanin kundër Kosovës, duke u vënë në qendër të kritikave të forta nga ana opinionit publik.
Saviçeviçi që ka luajtur dikur me Crvena Zvezdën dhe Milanin, me rastin e skandalit në fjalë, deklaroi:
“Nuk kam se çfarë të them tjetër, veçse se Terziçi hodhi ‘bombën atomike’ mbi futbllin malazez. Ne, si edhe më parë, do t’u mbijetojmë këtyre ‘bombave’, por ai duhet ta dijë se është fajtori kryesor për të gjithë skandalin. Unë nuk e di, nëse ai do të ketë kurajën që të vijë në Malin e Zi dhe si do t’u dalë para njerëzve që dikur e kanë ndihmuar atë. Ai ushtroi presion të madh mbi lojtarët malazezë të Crvenës që ata të mos luanin kundër Kosovës, kuptohet përmes tifozëve. Nuk e di se nga kush ka frikë Terziçi, nga tifozët, policia apo nga shërbimet e fshtehta. Të gjithë e dinë se po atë ditë përfaqësuesja serbe e hendbollit për femra luajti me homologen e vet kosovare dhe asgjë nuk ndodhi”, deklaroi Saviçeviçi, federata e të cilit e shkarkoi menjëherë trajnerin serb të Malit të Zi.
Sfidanti.al