Argjentina nuk duket se ka gjë në vijë, ndërsa emra të tillë si Kili, Kolumbia apo Meksika, gjithsesi nuk ta mbushin syrin. Kupa e Amerikës në Brazil do të thotë që vendasit të jenë stërfavoritë, por publiku amerikanolatin dhe ai botëror duan rivalitet. Pra, ku ta gjejmë një kundërshtar të denjë për brazilianët në edicionin 2019 të “Copa”-s? Përgjigjen e jep vetë “i interesuari”, pra ai që e quan veten pretendent për trofeun.
Uruguaji bëri deklaratën e tij të pretendimeve duke mundur 4-0 Ekuadorin, në ndeshjen debutuese në Kupë. Jo më kot shënues ishin Luis Suarez dhe Edinson Kavani, dy sulmuesit që janë edhe rekordmenët e golave të kombëtares së tyre në të gjithë historinë. Suarez ka 57 rrjeta në 108 ndeshje, Kavani përgjigjet me 47 në 111 takime. Natyrisht, uruguajanët e patën më të lehtë pasi Ekuadori mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 24-ët. E vetmja notë negative në stadiumin e Mineiros ishte numri i vogël i spektatorëve, vetëm 13 000, por besohet ata do të jenë të shumtë nëse Brazili do të luajë në finalen e mundshme ndaj Uruguajit.
Sfidanti.al