Në Europian nuk arriti dot maksimumin, por askush nuk dyshon për të. Kilian Mbape ka talentin, moshën dhe potencialin për të qenë numri 1 i ardhshëm i botës, pas Mesit e Ronaldos, dhe një betejë e ashpër po zhvillohet në distancë mes Paris SG e Realit të Madridit. Klubi francez dëshiron me çdo kusht që ta mbajë yllin e saj kryesor, i cili në moshën 22-vjeçare po arrin dalë nga dalë në momentin e pjekurisë futbollistike. Presidenti Al Helaifi, sipas njoftimeve nga Franca, është gati t’i ofrojë një kontratë maksimale, me rrogë sa Nejmari, pra rreth 30-31 milionë euro në sezon.
Në kushte pandemie ky do të ishte maksimumi, diçka që Reali me shumë gjasë nuk e bën dot, dhe që do ta barazonte Mbapenë me Kristiano Ronaldon. Për të kënaqur kampionin e botës, Al Helaifi nuk ka ngurruar të marrë këtë verë yje si Donarumën, Hakimin, Vajnaldumin apo Sergio Ramosin, për ta siguruar se PSG është kandidat kryesor për të fituar Champiosin. Gjithsesi, Reali nuk është pa shpresë, sepse Mbapesë i përfundon kontrata në 2022, dhe deri tani nuk ka pranuar të rinovojë. Mediat spanjolle njoftojnë se madrilenët janë në pozitat e duhura financiare për të marrë një “galaktik”, dhe do të preferonin Mbapenë para Erling Halandit.
Sfidanti.al