Kur ai doli për herë të parë nga trupi i së jëmës, dhe qau përsë pari në këtë botë, askush nuk mund ta mendonte që një bebe fshati mund të bëhej dikur “Mbreti i Francës”. Tadej Pogaçar, fituesi në fuqi i Turit të Francë, dhe praktikisht fituesi edhe i këtij edicioni, lindi në një fshat liliput të Sllovenisë, të quajtur Komenda, që sot e kësaj dite ka më pak se 1 000 banorë. Gjithsesi, të mos habitemi sepse nëse krahasojmë me kampionin tonë të çiklizmit, Agim Tafilin, ka një ngjashmëri. Edhe ish-kapiteni i paharruar i Vllaznisë lindi në Bërdicë, në një fshat të Shkodrës, dhe u zbulua në garat e kooperativave, ndërsa e dashuront biçikletën.
Tadej Pogaçar e vuri vulën për fitoren e dytë radhazi në etapën tepër të vështirë në Pirenej, të 18-ën, me nisje në Pau (Po) e mbërritje në Luz Ardiden. Në këtë etapë të skajshme, kishte dy maja për t’u pushtuar, së pari klasikja Turmaje (Col du Tourmalet), dhe pastaj vija e mbërritjes. Deri në procesionin në Paris mbetet vetëm një etapë e vështirë, një kronometër individuale, por që Pogaçar mund ta fitojë siç bëri në kronometrin e parë këtë sezon. Slloveni ka epërsi 5’45” ndaj rivalit më të afërt, Jonas Vingegard, dhe 5’51” ndaj Rishar Karapazit. Në moshën 22-vjeçare duket se ai do të jetë heroi i ri i Turit, në gjurmët e Edi Merksit, Zhak Anketilit, Bernar Hinosë apo Migel Indurainit që e kanë fituar nga 5 herë, Kris Frum ia ka dalë 4 herë, ndërsa Filip Tis, Luizo Bobe dhe Greg Lemond nga 3 herë.
Sfidanti.al