Parashikim i qetë “moti” për Nejmarin e Kavanin tek PSG-ja!

Më i talentuari padyshim është braziliani. Nejmar u rikthye në skuadrën e PSG-së duke shënuar dy gola e duke shërbyer dy asistë në fitoren e radhës, ndërsa mediat nuk kanë “buletine meteorologjike” për dyshen e madhe. Nuk ka “ushqim” për titujt kryesorë, për kopertinat dhe për edicionet e lajmeve, por kjo është një kënaqësi e madhe për tifozët parizienë, për klubin dhe për trajnerin Unai Emeri.

Është folur shumë për largimin e mundshëm të Nejmarit për tek Reali, por vështirë të besohet që një lojtar me klasin e tij të tregohet kaq mendjelehtë sa të “prishë martesën” brenda pak muajve. Në fushën e Renës, në fitoren 4-1 për ligën franceze, gjithçka ishte “mjaltë” për të dhe për Kavanin, ndërsa sherret për penalltitë janë lënë pas.

E vetmja kritikë për PSG-në mund të jetë ajo për stilin e lojës së trajnerit Emeri, skuadra e të cilit është shumë e fortë në sulm, por disa herë delikate në mbrojtje. Gjithsesi, vështirë të fajësohet veëm Emeri për këtë, pasi me një ekip ku luajnë bashkë Nejmar, Mbape e Kavani, gjithmonë mesfusha do të ketë më pak forcë për të ndalur sulmet e kundërshtarit.

Sfidanti.al