“Paqeruajtësi” Mbape: Nejmar, më shumë superyll se unë!

Shumë “gjela në një kafaz” janë gjithnjë problem, por është ndryshe kur dikush nga “gjelat” është tepër inteligjent. Tek Barcelona ishin Ksavi, Pujol, Iniesta, Pike, Buskets apo Mesi, por që të gjithë ishin të mençur dhe me formim të shëndoshë. Tek Paris SG është të paktën një i tillë, Kilian Mbape.

Në një ekip me personalitete të forta dhe talente të mëdhenj, 19-vjeçari po sillet si një burrë i madh, duke sjellë qetësinë aq shumë të nevojshme. “Nejmar është më shumë superyll sesa unë, – ishin fjalët e tij për gazetën “L’Ekip”, – ai punoi shumë tek Barcelona që të arrinte këtë status që ka. Edhe këtë herë ai shënoi një gol dhe dha një asist, aspak keq apo jo. Sa për mua, unë përpiqem të bëj punën time”.

Mbape është parashikuar si Topi i Artë i ardhshëm, ndonëse gjithnjë ka qenë Nejmar njeriu për të cilin thuhej se do të zëvendësonte Mesin e Ronaldon. Konkurrenca mes tyre padyshim që ekziston, veçse sulmuesi francez ka një pjekuri të parakohëshme. Kjo duket edhe në mënyrën sesi luan, edhe sesi flet, dhe me shumë gjasa, do të jetë kapiten i ardhshëm i ekipit ku do të luajë.

Sfidanti.al