Piter Shilton dhe Rozherio Seni janë dy lojtarët me numrin më të madh të ndeshjeve në karrierë, në të gjithë historinë e futbollit. Ish-numri 1 i Anglisë ka luajtur numrin-rekord të takimeve me plot 1 390 të tilla për klubet dhe kombëtaren, ndërsa braziliani arriti deri në 1 234. Paksa poshtë tyre është legjenda tjetër braziliane, Roberto Karlos me të paktën 1 132, por një pretendent i ri po rrezikon “mbretërit”.
Ky është Xhanluixhi Bufon, gjigandi i Paris SG, që deklaroi ambiciet e tij për të luajtur deri në moshën 43-vjeçare, me rinovimin e kontratës me francezët. Klubi i kryeqytetit u bind nga forma e madhe e italianit gjatë sezonit të parë, pasi erdhi nga Juventusi, duke i dhënë një kontratë të re 1+1.
Për momentin, 41-vjeçari ka arritur në 1 092 ndeshje, duke qenë në listën e 25 futbollistëve që e kanë kaluar shifrën 1 000, ndërsa pas dy vjetësh, nëse do të fitojë konkurrencën me Areolën, mund t’i afrohet të paktën Rozherio Senit. Në fund të fundit, ku i dihet, Bufoni mund të rinovojë sërish kontratën, pra të luajë edhe më shumë ndeshje.
Sfidanti.al