Bajern, kur fanela private vlen më shumë se bluza e kombëtares

Në “Zebener Shtrase” nuk e pritën aspak mirë vizitën e dy miqve “të paftuar”. Trajneri i kombëtares, Joakim Lëv, dhe drejtori i ekipeve kombëtare, Oliver Birhof, trokitën qetësisht “tak tak” në derën e Bajernit, dhe me edukatë, por edhe pa lëkundje i deklaruan se “djemtë tuaj nuk do të jenë më pjesë e jona”. Djemtë ishin Mats Humels, Zherom Boateng dhe Tomas Myler.

Tek Bajerni u mërzitën e u nxinë në fytyrë, por gjithsesi, pasi përcollën miqtë sipas zakonit, u ulën shpejt e shpejt të shkruanin një letër. Ajo do të ishte përgjigja e tyre për “dëbimin” e tre djemve të shtrenjë të shtëpisë.

“Ju, Joakim Lëv, keni të drejtën absolute të krijoni listën e ekipit kombëtar, – shkruhej në të, nga Karl-Hajnc Rumenige dhe Hasan Salihamixhiç, – por, ne mendojmë se ju keni gabuar lidhur me kohën kur e morët këtë vendim. Ne jemi në prag të dy ndeshjeve vendimtare të sezonit, atyre ndaj Volfsburgut të shtunën në kampionat, dhe kundër Liverpulit në Champions të mërkurën, dhe njoftimi i bërë tani ndikon për keq tek lojtarët tanë”.

Bavarezët vazhduan duke shkruar se Lëvi kishte kohë që të vendoste që pas hedhjes së shortit të Championsit në dhjetor, dhe nuk kishte pse të priste për ta komunikuar në mars. “Edhe ndeshja e fundit e kombëtares së Gjermanisë u luajt në 19 nëntor të vitit të kaluar, pra mund ta njoftonit vendimin tuaj që atëherë”, – përfundonte letra “e hapur”.

Tek Bajerni u sollën si ata që mbrojnë interesimin e shtëpisë së tyre, përballë interesimit të gjithë lagjes. Ndoshta, Joakim Lëvi mund ta kishte lajmëruar vendimin e tij më shpejt, por tre veteranët e Bajernit nuk janë adoleshentë që preken kaq lehtë. Në fund të fundit, atyre u takonte të shpreheshin me fjalinë model: Ishte nder që luajtëm për Gjermaninë!

Sfidanti.al