Zidane – mesazh tifozëve të Realit mbas fishkëllimit të Ronaldos

Trajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidane, iu drejtua, dje, tifozëve të ekipit të tij, pasi ata e vërshëllyen Kristiano Ronaldon pas paraqitjes së dobët në fitoren e fundit, 2:1, të Realit ndaj Malagës në “Santiago Bernabe”. Megjithëse madridasit ishin të kënaqur me fitoren, pas dy humbjeve radhazi, një numër tifozësh nuk ishte i kënaqur dhe ia bëri të ditur qartë futbollistit portugez se ata duan që ai të kthehet te forma e tij e mëparshme e mirë. Sidoqoftë, Zidane u dërgoi një mesazh atyre (tifozëve) se duhet që të tregohen të duruar.

“Nganjëherë, kur ndodheni në vështirësi, ekziston nevoja e ndihmës edhe të tifozëve që duhet të tregohen të duruar, solidarë dhe të mirëkuptueshëm. Nuk kam ndërmend që t’i kritikoj tifozët, sepse klubi jeton nga paratë e tyre. Por, luhen kaq shumë ndeshje dhe lojtarët dëmtohen shpesh, kështu që ata kanë nevojë për dashurinë e tyre. Edhe trajneri, po ashtu, ka nevojë për një gjë të tillë. Për këtë arsye, tifozët duhet të tregohen të duruar”, tha Zidane pas ndeshjes së lartpërmendur. Ronaldo, gjatë ndeshjes në fjalë, goditi shtyllën, ndërsa portieri i Malagës, Karlos Kameni, priti, tri herë, topat e gjuajtur nga Ronaldo që, që nga nëntori, ka shënuar vetëm një gol në La Liga.

Sfidanti.al