Gjergji Muzaka ka dalë fitues ndaj Tiranës në gjyqin e zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, gjithsesi, I ka dhënë vetëm pjesërisht të drejtë futbollistit, duke detyruar klubin të paguajë pjesën më të madhe të parave të kërkuara prej tij.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Federatës, shuma që Tirana është e detyruar t’i japë Muzakës arrin në mbi 100 milionë lekë të vjetra. Po ashtu klubi bardheblu duhet të paguajë 1 milionë lekë të vjetra si shpenzime gjyqi, si dhe lejojë lojtarin të largohet pa pengesë.
Sipas burimeve pranë futbollistit, ai kishte kërkuar rrogën e plotë të 16 muajve, ndërsa Tirana I kishte propozuar për t’i dhënë shumë më pak. Gjithsesi, klubi kryeqytetas ka të drejtë të ankimohet në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, sapo të marrë zyrtarisht vendimin e Federatës.