Nga Dembele tek Isak, Dortmundi mund gjigandët për talentet!

Borusia e Dortmundit, që nga vitet e Jurgen Klopit, ka qenë një nga skuadrat që më shumë gëzim i ka dhënë futbollit europian. Trajneri, që sot drejton Liverpulin, spikati me aftësinë për të tërhequr talente nga më të mirët në kontinent, si Levandovski, Gëce, Rojs apo Humels. Këtë gjë po e bën edhe sot Dortmundi, me “skautët” e tij dhe me trajnerin inovativ, Tomas Tuhel. Klubi gjerman ia ka dalë të marrë njërin pas tjetrit disa nga talentet më të vlerësuar të kohëve të fundit, si Obamejang, Dembele, Mor, Vajgl apo Pulishiç. Goditja e fundit ishte tani në janar, kur Borusia mori premtimin që vjen nga Suedia, Aleksandër Isak. Djaloshi është 17 vjeç dhe është formuar nga klubi AIK i Solnës, në qytetin ku ka lindur. Isak krahasohet me Zllatan Ibrahimoviçin, për cilësitë që zotëron, por ka edhe shtatlartësinë si Ibra, plot 1.90 metra. Pasi shënoi 13 gola në 29 ndeshje për klubin dhe ekipet kombëtare, Isak zgjodhi Dortmundin përpara Realit të Madridit.

Sfidanti.al