Zidan lë Sergio Ramosin pushim, ndaj Alaveshit edhe pa Kasemiron

Sergio Ramos do të pushojë sot dhe nuk do ta ndihmojë dot Realin në përballjen ndaj Alaveshit në ligën spanjolle të futbollit. Trajneri Zinedin Zidan do ta lerë mënjanë kapitenin e tij që ka shpenzuar shumë energji me 9 ndeshje në pesë javë, ndërsa përpara Madridit është pjesa vendimtare e sezonit. Në 28 ditë do të luhen 9 ndeshje të tjera, përfshi dy ndaj Bajernit në çerekfinalen e Championsit, dhe përballjet në “Bernabeu” ndaj Atletikos dhe Barcelonës (23 prill).

“Ramos duhet të pushojë, – tha Zidan, – ka luajtur shumë kohët e fundit dhe çdo lojtar është i rëndësishëm. Kemi thënë se nuk ka zëvendësues dhe titullarë në skuadrën tonë dhe kjo vlen tani më shumë se kurrë”. Ramos ka shënuar 7 gola këtë kampionat, duke qenë shpesh vendimtar, ndërsa Reali ndaj Alaveshit nuk do të ketë as Kasemiron, pasi braziliani është i pezulluar.

Sfidanti.al