Ishte një derbi, por tifozët as që mund ta mendonin barazimin. Të lesh dy pikë në “Kamp Nou” me Gironën ishte jashtë konceptit të mbi 76 000 shikuesve, veçse kështu ndodhi. Barcelona bëri gabimin e parë në La Liga, pak ditë pas suksesit 4-0 me PSV Ajndhovenin, ndonëse edhe në atë sfidë pati defekte alarmante në lojë.
Nuk mjaftoi goli i zakonshëm i Mesit, por u kuptua se katalanasve nuk u mjaftojnë as zëvendësuesit që duhet të luajnë në vend të titullarëve. Lengle (në vend të Ymtitisë) doli me të kuqe, Arturi në vend të Kutinjos ishte zhgënjim, dhe Arturo Vidal ende duket si “peshku pa ujë”. Kur Lengle doli me të kuqe ishte minuta e 34-ët, dhe Barça luajti në dizavantazh numerik për gati 60 minuta, diçka e rëndë për një ekip që aspektin fizik apo atletik nuk e ka pikën e fortë.
Duelin e uruguajanëve e fitoi Stuani ndaj Suarezit, duke shënuar dy gola në barazimin 2-2. Nuk bënë punë aktivizimi i Ymtitisë, Kutinjos dhe Rakitiçit në pjesën e dytë. Për fat të keq, heronjtë Mesi, Pike, Buskets, Suarez apo Zhordi Alba sa vijnë e vjetërohen, ndërsa klubi katalanas duket se ende nuk i ka zëvendësuesit.
Sfidanti.al