Ultrasit e Dortmundit, të lirë në stadium për sulm ndaj bosit rival

Nuk thuhet kot që stadiumi është një tempull i lirisë. Natyrisht, kjo liri mund të jetë e dhunshme si ajo e xhunglës, apo si e hipive në vitet 60-të e 70-të në Amerikë dhe Europën Perëndimore, por mbetet sërish një sfidë ndaj autoritetit. Tifozët në të gjithë botën e shfrytëzojnë sipas shijeve, nivelit dhe dëshirave, dhe kështu bënë këtë të shtunë ata të Dortmundit në stadiumin e Hofenhajmit.

Ultrasit e kishin kapur me pronarin e klubit vendas, Ditmar Hopin, që kishte bërë procedim në gjykatë ndaj tyre për ofendimet e mëparshme. Ata shpalosën banderolën në tribunën e tyre, me fytyrën e Hopit të vendosur në shënjestër të kuqe dhe me fjalët “procedurë kriminale dhe ndalim për të ardhur në stadium? Çfarë m… do ti bir k…?” Më pas ndodhi një shfryrje zemërimi mbi gjithçka që ata e quajnë padrejtësi, dhe disa nga ultrasit shkatërruan tualetet e stadiumit.

Natyrisht, mediat filluan me moralin “veprime të tilla nuk kanë vend në stadium” (përse ndodhin, vjen pyetja). Klubi i Dortmundit, gjithsesi, u detyrua të kërkonte falje. “Është e vështirë të merresh vesh me ta, – tha drejtori sportiv, Mikael Cork, – do të preferoja dialogun, pa dyshim, por nuk ka justifikim për atë që ndodhi. Duhet të kërkojmë falje si klub”. Ndeshja e Bundesligës përfundoi 1-1 dhe Dortmundi e mbylli javën e tretë në vend të tretë, me 8 pikë.

Sfidanti.al