Valverde, pse mbeten jashtë liste Dembele dhe Malkolm…

Barcelona në ndeshjen e raundit të 11-të të La Ligës, megjithëse me vështirësi, por fundi i fundit fitoi 3-2 jashtë kundër Rajo Valekanos. Me veshtirësi, sepse deri në min. e 87-të katalonjasit ishin në disavantazh 1-2 dhe vetëm brenda tri minutash ata arritën ta pëmbysnin rezultatin, duke i fituar të tria pikët. Kështu, vizita në Valekas, lagje periferike e Madridit, doli se ishte më e vështirë sesa pritej, por rëndësi ka që Barça e vazhdoi serinë fituese.
Trajneri Ernesto Valverde, sidoqoftë, u vu në qendër të kritikave të tifozëve, sepse ai as kësaj here nuk përfshiu në ekip Malkolmin, ndërkohë që shumëkujt nuk i pëlqen fakti që Usman Dembele e nis lojën nga stoli i rezervave dhe që përparësi para tij ka Rafinjo.
Por, ishte Dembele që shënoi në ndeshjen kundër Valekanos, duke e bërë rezultatin 2-2 dhe duke paralajmëruar kështu përmbysjen e mëvonshme. Valverde u përpoq që ta shpjegoi situatën:
“Është e sigurt se koha e Malkolmit do të vijë. Unë, para çdo ndeshjeje, bëj gati listën e lojtarëve që do të luajnë, kështu që disa mbesin jashtë kësaj liste. Në këtë listë, herë pas here, mungon emri i Malkolmit, ndërkohë që kjo ndodh edhe në rastin e Dembeles”.
Sfidanti.al