Një “gjilpërë” Pogbasë dhe një këshillë për Murinjon!

Darren Fleçer nuk ka qenë mesfushori më i talentuar i brezit të tij, por ishte një nga burrat e formacionit të Sër Aleks Fergusonit, atëherë kur Mançester Junajtidit nuk i mungonin burrat. Sot, tashmë “pensionist futbolli”, skocezi i ashpër vendos të nxjerrë nja dy fjalë nga goja dhe t’i japë një këshillë Zhoze Murinjos, gjithnjë nëse portugezi dëshiron ta marrë parasysh.

Këshilla ka të bëjë me Pol Pogbanë. “Në kohën tonë, – kujton Fleçeri, – Pogba nuk ishte i disiplinuar sa duhet as për ekipin e rezervave, jo më për ekipin e parë. Kjo e detyroi Fergin që ta aktivizonte më përpara pranë sulmit. Ne ishim të bindur se ai ishte aq i zoti sa t’i fitonte ndeshjet duke luajtur më pranë sulmuesve”. Tifozët e Junajtidit shpresojnë që Murinjo ta provojë këtë, dhe që Pogba t’i tregojë më në fund aftësitë e tij vendimtare.

Sfidanti.al