Simeone për Atletikon: I lumtur për fitoren, por u bëra me zemër!

Atletiko e Madridit mbetet në vendin e parë në La Ligën e Spanjës, por trajneri i saj, Diego Pablo Simeone, nuk ka qenë shumë mirë kohët e fundit. Presioni është tepër i madh, dhe skuadra e tij po e gjen të vështirë të arrijë fitoret, ndaj ai po vuan në vijën anësore. Suksesi i së shtunës ishte minimal, 1-0, arritur në fushën e Elçes me një gol të Marko Jorentes në minutën e 23-të. “Fitorja është një hap shumë i rëndësishëm, – tha argjentinasi, – pjesa e parë ishte e madhe, nga më të mirat për shumë kohë. Gjithsesi, nuk e rritëm avantazhin dhe rrezikuam shumë deri në fund. Jam i kënaqur me fitoren, por stresi ishte i madh”. Simeone nuk deshi të komentonte se cili mund të quhet favorit për titullin, kur në garë janë katër skuadra, edhe Reali, Barcelona e Sevilja. “Nuk është momenti të mendojmë, por jemi në momentin që duhet të bëjmë atë që duhet bërë”, – tha ai. Atletiko kryeson La Ligën me 76 pikë në 34 javë, por nga katër ndeshjet e mbetura njëra është në fushën e Barcelonës.

Sfidanti.al