Simeone ka një kërkesë para se Grizman të shkojë tek Barça

Një histori e gjatë më shumë se një vit duket se po përfundon në mënyrë të lumtur (apo jo plotësisht?). Tifozët e Barcelonës mund të mos jenë shumë entuziaztë, por Antuan Grizman me shumë gjasë do të bëhet shpejt lojtar i ekipit të tyre, në një “kalvar” me shumë të papritura dhe dyshime. Fillimisht, erdhi refuzimi publik i kampionit të botës që i deklaroi sërish dashurinë Atletikos së Madridit. Më pas, vetë Grizman e deshi gjithnjë e më shumë një ikje, dhe Barça kuptoi se kishte nevojë për një sulmues tjetër, aq më tepër që Dembele nuk është lojtar zone, dhe golat e Kutinjos nuk erdhën.

Pak javë më parë, Grizman doli me një tjetër video ku deklaronte divorcing nga bardhekuqtë e Madridit, shoqëruar me spekullime se “do të shkojë tek Barcelona”, dhe “nuk do të shkojë tek Barcelona”. Tani, lajmi është që agjenti i sulmuesit dhe Barça kanë gjetur gjuhën e përbashkët me një rrogë prej 17 milionë eurosh në sezon, në krahasim me nja 10-12 që do të kishte qenë vjet. Ka një “kleçkë” edhe në klauzolën e francezit, pasi Atletiko kërkon zyrtarisht 180 milionë euro, ndërsa marrëveshja mund të arrihet për 120.

Përveç të gjitha këtyre, palë në bisedime është edhe trajneri i Atletikos, Diego Pablo Simeone. Argjentinasi i ka kërkuar klubit të tij që të marrë mbrojtësin Semedo nga “Kamp Nou”, diçka që për momentin trajneri Valverde dhe drejtuesit katalanas nuk kanë dëshirë që ta bëjnë.

Sfidanti.al