Gjatë fazës përgatitore pati bluzë tjetër. Rej Manaj mbajti numrin 19 në shpinë, ndërsa shënoi 4 gola në ndeshjet e verës, një sukses që duket se e ka bërë të lëshojë rrënjë në një klub të madh si Barcelona, por që ndodhet në një kaos po kaq të madh. Në një kohë që presidenti Zhoan Laporta informon se borxhi ka arritur në 1.35 miliardë euro, duke u rritur me 170 milionë vetëm në 2021, Manaj duket se po stabilizohet në ekipin e parë. Një shenjë e qartë ishte fakti se mori fanelën me numrin 14, që deri sezonin e kaluar i takoi Filip Kutinjos.
Ylli brazilian nuk ka vend në ekipin e trajnerit Ronald Kuman, për shkak se rroga e tij shumë e madhe ndikon në bilancin financiar. Në të kundërt, Manaj ka një rrogë më pak se 1 milionë euro në sezon. Gjithsesi, Barcelona sërish mendon se do të ishte më mirë që sulmuesi i kombëtares shqiptare të transferohej, një operacion nga i cili mund të fitohen 3 deri në 5 milionë euro. Gjithsesi, duket e vështirë që në këtë kohë krize, një klub në Spanjë apo Itali të paguajë edhe kaq. Për momentin, 24-vjeçari është në ekipin e parë të Barcelonës, dhe ishte në nxemje për ndeshjen e çeljes së La Ligës ndaj Sociedadit, edhe pse nuk u aktivizua për asnjë minutë.
Sfidanti.al